Nekrologji – Dr. Claus-Peter Zeitinger

2/2/2026

Nga Grupi ProCredit

Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Dr. Claus-Peter Zeitinger, ose CP siç njihej nga shumica prej nesh, më 29 dhjetor 2025. Ai ishte themeluesi kryesor i Grupit ProCredit dhe personaliteti që e formësoi këtë institucion në atë që është sot: një grup bankar i bazuar në vlera, etik dhe i përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor të vendeve ku operon.
CP nuk ishte një bankier konvencional, as nuk synonte të dukej i tillë. Në fakt, ai kurrë nuk do ta kishte përdorur fjalën “bankier” për të përshkruar veten. Shpeshherë polemizues dhe gjithmonë larg mendësisë së zakonshme, ai sfidoi supozimet mbizotëruese mbi atë se çfarë duhet të jetë sistemi bankar dhe kujt duhet ti shërbejë ai. Identiteti dhe suksesi i ProCredit ishin të pandashëm nga ky qëndrim. Ai ishte i vendosur, i paduruar ndaj formaliteteve boshe dhe haptazi kritik ndaj burokracisë kur ajo pengonte realizimin e punës. Për të, parimet kishin rëndësi, por po aq rëndësi kishte edhe veprimi.
Ajo që e bën Grupin ProCredit unik edhe sot është mënyra se si këto bindje u përkthyen në një model institucional të qëndrueshëm. ProCredit u ndërtua si një grup bankar me një mision të qartë zhvillimor, i përkushtuar ndaj transparencës dhe angazhimit afatgjatë në tregjet ku vepron. Për dekada me radhë, bankat ProCredit kanë qëndruar të pranishme në vendet e tyre të operimit, duke i rezistuar qasjeve afatshkurtra dhe duke mbështetur qindra mijëra sipërmarrës, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomive lokale. CP ndiente një lidhje të thellë dhe personale me këta sipërmarrës, duke njohur tek vendosmëria e tyre për të realizuar punët dhe gatishmërinë për të përballuar vështirësitë, të njëjtat cilësi që kishin përkufizuar jetën dhe veprën e tij.
CP besonte fuqishëm në edukim, si një mjet për të formuar profesionistë të përgjegjshëm dhe qenie njerëzore të respektueshme. Në qendër të vizionit të tij ishte besimi tek njerëzit. Ai ishte një mbështetës i vendosur i meritokracisë. Titujt, mosha, kombësia apo prejardhja kishin pak rëndësi për të, krahasuar me aftësinë, integritetin dhe përkushtimin. Ai fuqizonte individët që në faza të hershme, shpesh shumë më herët sesa të tjerët do të kishin guxuar, duke u besuar përgjegjësi atyre që ai mendonte se ishin të aftë ta mbanin atë. Shumë nga politikat dalluese të rekrutimit dhe trajnimit në ProCredit pasqyrojnë ende sot pikëpamjet e tij.
Gjatë viteve, Grupi ProCredit ka trajnuar dhe zhvilluar mijëra profesionistë të sektorit bankar. Alumni të ProCredit sot mbajnë pozicione të rëndësishme drejtuese në banka lokale, autoritete mbikëqyrëse, institucione qeveritare dhe organizata joqeveritare në rajone të ndryshme. Në këtë mënyrë, ndikimi i CP ka shkuar shumë përtej vetë institucionit, duke ndikuar në formësimin e sektorëve financiarë, standardeve dhe politikëbërjes në një numër të madh vendesh.
Mbi të gjitha, CP preku jetët e njerëzve. Ai sfidoi, inkurajoi dhe u besoi njëkohësisht atyre. Ai ndikoi në jetën e shumë individëve, përfshirë edhe tonat, ne që shkruajmë këto fjalë. Shumë prej tyre iu dhanë mundësi që ndryshuan rrënjësisht rrjedhën e jetës së tyre profesionale dhe personale.
Ne jemi të bindur se trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë në Grupin ProCredit, në përkushtimin e vazhdueshëm ndaj “të mirës së përbashkët”, siç do ta shprehte ai, ndaj sistemit bankar të përgjegjshëm dhe tek njerëzit e shumtë që ai fuqizoi për të menduar në mënyrë të pavarur, për të vepruar me përgjegjësi dhe për të udhëhequr me bindje.
CP lë pas një institucion që mbetet besnik ndaj vlerave të tij themeluese dhe një komunitet njerëzish që i çojnë këto ide përpara. Ai do të na mungojë thellësisht, por vizioni i tij jeton.