Open Responsive Menu
05 Qershor 2018

Stafi i ProCredit Bank - Në mbrojtje të mjedisit

02 qershor 2018 –  Stafi i ProCredit Bank në aksion për pastrimin e Parkut të Liqenit të Farkës.

Mbrojtja e mjedisit dhe kontribuimi aktivisht në zhvillimin ekonomik, me përgjegjshmëri sociale dhe mjedisore, është një komponent qendror i misionit të Grupit ProCredit. Prej disa vitesh stafi i bankës ProCredit organizohet, në mënyrë vullnetare, për të pastruar nga mbeturinat, territore të caktuara. Këtë vit u përzgjodh Parku i Liqenit artificial të Farkës, si një prej liqeneve më të mëdhenj në Shqipëri dhe një zonë turistike që ka marrë fokus për zhvillim. Të gjithë pjesëmarrësit, të suportuar edhe nga stafi i APR (Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit - Bashkia Tiranë), përveçse kontribuuan në pastrimin e ambientit nga mbeturinat,  dhanë dhe një shembull pozitiv në komunitetin dhe tek vizitorët duke promovuar një përqasje të përgjegjshme qytetare dhe rritur ndërgjegjësimin ndaj mbrojtjes së mjedisit.

Përqasja mjedisore e ProCredit Bank transmetohet në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm nga iniciativat që ProCredit merr si bankë, por edhe nga vetë stafi, të cilët dëshirojnë të jenë pjesëtarë aktivë të shoqërisë dhe të luajnë një rol më të madh, përtej të qenit vetëm pjesë e një institucioni bankar.


Si pjesë e Grupit ProCredit, ProCredit Bank Shqipëri i kushton rëndësi mbrojtjes së mjedisit dhe kontributi i saj në reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike është pjesë e përgjegjësisë sociale të Bankës. Në operacionet e saj, banka ProCredit  kërkon të reduktojë në mënyrë të vazhdueshme ndikimin e vet mjedisor dhe atë të klientëve të saj. Ajo gjithashtu synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve të saj, klientëve dhe publikut për çështjet mjedisore duke zbatuar masa të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Për më tepër, angazhimi i bankës ProCredit në krijimin dhe implementimin e një sistemi të plotë për menaxhimin mjedisor u rikonfirmua dhe nga certifikimi me standardin ndërkombëtar ISO 14001:2015.

ProCredit Bank -  Në mbrojtje të mjedisit!