Open Responsive Menu
07 Dhjetor 2016

ProCredit Bank inauguron Qendrën Rajonale të Trajnimit në Prevallë të Prizrenit.

7 dhjetor 2016 - Banka ProCredit ka inauguruar qendrën rajonale të trajnimeve, ndërtuar në Prevallë të Prizrenit. Kjo qendër do të ofrojë trajnime të avancuara për stafin e bankave ProCredit, të cilat janë të dedikuara për të thelluar dhe përditësuar njohuritë e specializuara të punonjësve të bankave ProCredit në fushat e tyre të veprimtarisë dhe rritur aftësitë e tyre analitike dhe ndërpersonale.

Kjo qendër, investim i cili ka vlerën 3,2 milion euro, do jetë në funksion të stafit të bankave ProCredit që operojnë në rajon, si Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Aty do të mbahen trajnime të ndryshme, si ProCredit Entry Programme ashtu edhe trajnime të tjera që shoqërojnë në mënyrë të vazhdueshme stafin e këtyre bankave.

Adela Leka, drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive e ProCredit Bank Shqipëri theksoi se: “Eksperienca prej më shumë se dy dekadash në treg ka treguar se ne nuk jemi vetëm një bankë komerciale tradicionale, por jemi një institucion i përgjegjshëm financiar, i cili në themel të tij ka ofrimin e shërbimit  cilësor për SME-të, sepse janë këto bizneset që sigurojnë qëndrueshmëri ekonomike dhe gjenerojnë punësim. Në operacionet tona ne fokusohemi tek bizneset të cilat kanë një vizion afatgjatë, që synojnë të zhvillojnë biznesin e tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe që ndajnë të njëjtat vlera etike me ne. Për të identifikuar dhe shërbyer kësaj kategorie klientësh sigurisht që nevojitet staf i përzgjedhur me kujdes dhe që zotëron aftësi të larta profesionale. Jemi të sigurt që kjo qendër do t’i shërbejë këtij qëllimi”.

Qendra Rajonale e Trajnimeve është objekti i parë në Kosovë që është ndërtuar me standarde të larta ekologjike, duke qenë se janë bërë investime në: panele fotovoltaike, panele diellore për ngrohje të ujit, izolim termik, impiant për trajtimin e ujërave.

“Suksesi dhe qëndrueshmëria që ne shfaqim në operacionet e biznesit, janë rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit tonë për arritjen e objektivave që ne kemi vendosur në linjë me misionin dhe vizionin e bankës. Gjithsesi, asnjë objektivë nuk mund të arrihet pa një skuadër punonjësish të motivuar, dedikuar dhe mirë-trajnuar. Për këtë arsye, investimet në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të punonjësve tanë janë të një rëndësie të veçantë”, u shpreh Ilir Aliu, drejtor i përgjithshëm i ProCredit Bank Kosovë.

Edhe Borislav Kostadinov, Kryetar i bordit të drejtorëve të bankës ProCredit në Kosovë nënvizoi se: “Qendra e re rajonale në Kosovë, është një  shembulli i përkryer që tregon seriozitetin, kur themi që ne ofrojmë një ambient stimulues për stafin tonë në të cilin ata mund të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre dhe të mësojnë më shumë nga njëri-tjetri”.

Në këtë ceremoni përveç përfaqësuesve më të lartë të bankave ProCredit në rajon dhe ProCredit Holding, pjesëmarrës ishin edhe ministri i Financave të Kosovës, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës.

Qendra ka një sipërfaqe prej 3300 metër katror, 4 klasa mësimi të pajisura me të gjitha mjetet për trajnim, 33 dhoma gjumi që sigurojnë kapacitet optimal, restorant dhe mundësi për aktivitete sportive.