Open Responsive Menu
24 Nëntor 2016

ProCredit Bank – Takim me bizneset e industrisë ushqimore

Tiranë - Me iniciativë të bankës ProCredit biznese të industrisë ushqimore nga i gjithë vendi ishin të ftuar sot në takimin “Business to Business”. Në fokus të këtij aktiviteti ishte nxitja dhe zhvillimi i marrëdhënieve të biznesit midis klientëve të bankës ProCredit në shkallë vendi. Të pranishëm në takim ishin biznese të shumta nga industria ushqimore, nga sektorët e prodhimit, shpërndarjes dhe tregtisë.

Nisur nga potenciali i aktivitetit të tyre dhe nevojës së tregut për produktet e prodhuara, secilit nga të pranishmëve iu referuan partnerë potencialë për zhvillimin e network-ut.  Rezultatet e këtij takimi treguan se interesi për prodhimet vendase është i lartë. Shumë nga të pranishmit lidhën kontakte me blerës dhe furnitorë potencialë, duke hedhur në këtë mënyrë bazat për ndërtimin e marrëdhënieve konkrete midis tyre.

Gjithashtu, bizneset e pranishme patën mundësi të prezantohen dhe me përfitimet nga kryerja e investimeve efiçente dhe implementimi i teknologjive të reja. Investime këto që synojnë t’i japin bizneseve avantazh konkurrues në treg, duke përmirësuar cilësinë e produkteve të tyre, reduktuar kostot dhe ndikuar pozitivisht në mjedis.

Prej më shumë se tre vitesh organizimi i eventeve të tilla është kthyer në traditë për bankat ProCredit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe rajon. ProCredit Bank, si një bankë e specializuar për SME-të që synon të jetë zgjedhja e tyre e parë bankare, vazhdon të organizojë aktivitete të kësaj natyre me qëllim mbështetjen e klientëve të saj në lidhjen e kontakteve të reja dhe promovimin e aktivitetit të tyre. Ky aktivitet pason takimin rajonal të mbajtur në muajin maj të këtij viti në Selanik, të Greqisë.

Banka ProCredit është një bankë tregtare e orientuar drejt zhvillimit, në mbështetje të bizneseve (SME) me 100 % kapital gjerman, e vlerësuar me “B” nga agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings. Aksionari i vetëm është ProCredit Holding, me qendër në Frankfurt, Gjermani, ajo mbikëqyret nga autoritete të larta gjermane, Bundesbank dhe BaFin, që sigurojnë besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj banke.