Open Responsive Menu
13 Maj 2016

Selanik, Grupi ProCredit sjell së bashku rreth 500 SME për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.

Nxitja e bashkëpunimit rajonal është në fokus të bankave ProCredit, ndaj me iniciativë dhe ftesë nga ProCredit Holding, aksionari i vetëm i Bankës ProCredit Shqipëri, më shumë se 500 biznese nga rajoni morën pjesë në aktivitetin e organizuar në Selanik, të Greqisë. Në fokus të tij ishte nxitja dhe zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare midis klientëve të bankave ProCredit, të cilët operojnë në vende të ndryshme të rajonit si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Serbia, Bullgaria, Moldavia, Gjeorgjia etj. duke krijuar mundësi reale për tu lidhur me partnerë potencialë biznesi. Nga ProCredit Shqipëri morën pjesë rreth 30 biznese që operojnë në sektorë të ndryshëm. Të gjitha kompanitë e pranishme nga sektorë si: prodhimi, tregti, agrobiznes, industri tekstile, IT, energji e rinovueshme etj. patën mundësi që nëpërmjet takimeve të paracaktuara nga bankat ProCredit, të njohin biznese me interes për ta.
Në total, përfaqësuesit e 500 bizneseve kryen mbi 3’500 takime dhe mesatarisht secili prej tyre takoi rreth 7 kompani, që përkthehet në mundësi për të hyrë në 7 tregje të reja dhe 7 partnerë të rinj për çdo kompani të pranishme.

Jo vetëm kaq, por axhenda e aktivitetitit ishte gjithëpërfshirëse duke përfshirë prezantimin e Grupit ProCredit dhe mbështetjen që sigurohet për SME-të, bashkëpunimi me BE për nxitjen e investimeve nëpërmjet fondit EIF, duke vijuar më tej me prezantimin se si banka ProCredit Gjermani shton vlerë për klientët e bankave të tjera ProCredit. Një vëmedje e veçantë iu kushtua dhe prezantimit mbi trajnimet e stafit dhe sistemin e zhvillimit profesional të tij.

Në vazhdën e bashkëpunimit me BE, Grupi ProCredit nënshkroi gjatë këtij aktiviteti dhe marrëveshjen me Komisionin Europian, e cila u vlerësua si hapi i parë optimist drejt zhvillimit të ekonomisë greke. Qëllimi i saj është mbështetja e kompanive greke dhe nxitja e investimeve që sigurojnë zhvillimin e bizneseve greke dhe nxitjen e punësimit.

Gjithshtu pjesëmarrësit patën mundësi të vizitojnë dhe degët e bankës dhe “Zona 24/7” në Selanik.  ProCredit Bank Selanik ka nisur aktivitetin e saj për herë të parë në Nëntor 2015, si një degë e bankës ProCredit Bullgari. Organizime të tilla konfirmojnë edhe një herë pozicionin e bankave ProCredit në rajon, si banka të fokusuara në SME-të, që kuptojnë nevojat dhe sfidat e bizneseve duke u dhënë një kontribut thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të aktivitetit të tyre.