Open Responsive Menu
28 Janar 2016

FEI dhe Grupi ProCredit nënshkruajnë marrëveshjen për financimin e kompanive novatore, në shtatë shtete.

28 Janar 2016 – Sot Fondi Evropian për Investimet (FEI) dhe Grupi ProCredit kanë nënshkruar një marrëveshje për rritjen e huadhënies për ndërmarrjet SME si dhe për kompanitë me kapacitet deri në 500 punonjës, në kuadër të financimit InnovFin – BE për novatorët, një iniciativë kjo e mbështetur nga Komisioni Evropian. Marrëveshja e re i mundëson Grupit ProCredit të ofrojë mbështetje financiare për kompanitë me një total prej 250 milion Eurosh nëpërmjet bankave ProCredit që operojnë në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Rumani dhe Serbi. Këto banka përfitojnë nga mbështetja e një garancie të dhënë nga FEI si dhe në kuadër të Horizon 2020, Programit Kuadër të BE-së për Kërkimin dhe Inovacionin. Ky nënshkrim i mundëson bankave ProCredit të ofrojnë mbështetje financiare shtesë me kushte të favorshme për ato kompani novatore, të cilat kanë plane të mira investimi që ndikojnë në modernizimin dhe zhvillimin e tyre.

Drejtori Ekzekutiv i FEI, Pier Luigi Gilibert thotë: “Jam i kënaqur që nënshkruajmë këtë marrëveshje garancie me grupin ProCredit. Kemi punuar më parë me Grupin ProCredit dhe jemi të sigurt se do të jenë në gjendje të mbështesin sic duhet bizneset novatore dhe ato në rritje që kanë nevojë për mbështetje financiare”.

Carlos Modes, Komisioneri Evropian për Kërkimin, Shkencën dhe Inovacionin, thotë: "Marrëveshja e huasë, e mbështetur nga BE-ja, nënshkruar sot është e hapur për SME-të dhe në Shtetet Anëtare të BE-së si dhe vendet e Evropës Juglindore të përfshira në Programin Horizon 2020. Objektivi i saj është ndihma për nxitjen e investimeve tek shoqëritë inovative për promovimin e zhvillimit dhe vendeve të punës."

Borislav Kostadinov, anëtar i Bordit të Menaxhimit të ProCredit Holding shton: “Jemi krenarë që ProCredit është grupi i parë i bankave që nënshkruan garancinë ombrellë InnovFin SME për operacionet e saj në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni, Moldavi, Rumani dhe Serbi. Kjo do të stimulojë ide dhe investime të reja nga klientët tanë dhe në këtë mënyrë do t’ju mundësojë atyre rritjen e konkurrueshmërisë. Si banka të specializuara për t’i shërbyer kompanive SME në rajon, e dimë se teknologjia moderne, mendimi novator, si dhe orientimi ndaj mjedisit janë faktorët kyç për zhvillimin në të ardhmen. Kjo vlen njësoj si për klientët tanë ashtu dhe për operacionet tona si banka".

Synimi i Garancisë InnovFin SME është inkurajimi i bankave ose institucioneve financiare të tjera për t’ju dhënë hua SME-ve që dëshirojnë të investojnë dhe/ose për kapital qarkullues për mbështetjen  e aktiviteteve kërkimore dhe novative, me mbështetjen financiare të BE-së. Institucionet financiare po zgjidhen nga FEI pas një thirrjeje për shprehjen e interesit për institucione financiare ndërmjetëse në të gjithë Evropën.


Rreth Garancisë InnovFin SME
Garancia InnovFin SME ofron garanci dhe kundër garanci për financimin e huave nga 25,000 deri në 7.5 milion Euro, me qëllim përmirësimin e aksesit në financimin kompanive SME. Garancia InnovFin SME po zbatohet nga Fondi Evropian i Investimeve dhe do të lëvrohet nëpërmjet institucioneve financiare ndërmjetëse në shtetet e BE-së dhe vende të tjera. Në kuadër të Garancisë InnovFin SME, institucionet financiare ndërmjetëse do të marrin garanci nga FEI për një pjesë të humbjeve të tyre të shkaktuara nga financimet e kryera.  Garancia InnovFin SME është pjesë e Financimit InnovFin – BE për Novatorët, një gamë e re produktesh të Grupit EIB (duke përfshirë FEI dhe BEI). Ky transaksion sigurohet nga mbështetja financiare e Bashkimit Evropian në kuadër të Instrumenteve Financiarë të Programit Horizon 2020.
Rreth FEI
Fondi Evropian për Investimet (FEI) është pjesë e grupit të Bankave Evropiane të Investimit. Misioni i saj qendror është mbështetja e bizneseve SME duke i ndihmuar ato të kenë akses për financim. FEI projekton dhe zhvillon kapital zhvillimi dhe investimesh, instrumente garancie dhe mikrofinancimi, të cilat kanë në fokus konkretisht këtë segment të tregut. Në këtë rol, FEI mbështet objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, zhvillimit dhe punësimit.
Rreth grupit ProCredit
ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është shoqëria mëmë e grupit ProCredit, duke përfshirë bankat ProCredit që operojnë në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në rritje si dhe si banka ProCredit në Gjermani. Që nga 30 Nëntori 2015, asetet totale të grupit arrinin në 6.1 miliardë Euro. Volumi gjithsej i huasë ishte 4.6 miliardë Euro, kundrejt depozitave të klientëve që arrijnë në 4.1 miliardë Euro. Baza e kapitalit të grupit arrin në 612 milion Euro. ProCredit Holding AG & Co. KGaA është një “shoqëri publike-private”, aksionarët kryesorë të së cilës janë investitorët strategjikë IPC dhe ProCredit Staff Invest (një mjet investimi për anëtarët e stafit të ProCredit), Fondacioni Holandez DOEN, KFW dhe IFC (Grupi i Bankës Botërore). Informacion shtesë mund të gjendet në adresën: www.procredit-holding.com
Rreth Programit Horizon 2020
Në 1 Janar 2014, Bashkimi Evropian prezantoi një program të ri për kërkimet dhe novacionin të quajtur Horizon 2020. Gjatë shtatë viteve në vijim gati 80 miliardë Euro do të investohen në projekte kërkimore dhe novatore për mbështetjen ndaj konkurrueshmërisë ekonomike të Evropës dhe zgjerimit të kapaciteve njerëzore. Në kuadër të Programit Horizon 2020 u zhvillua gjithashtu dhe "Financimi InnovFin – BE për Novatorët", gjenerata e re e instrumenteve financiarë të BE-së si dhe shërbimet këshillimore për të mundësuar një akses më të lehtë në financime të kompanive. "Financimi InnovFin – BE për Novatorët" do të ndihmojë për futjen e deri 48 miliardë Eurove në investime për kërkimet dhe novacionet në të gjithë Europën.