Open Responsive Menu
07 Tetor 2015

ProCredit Bank inauguron degën më të re me rastin e 20 vjetorit të saj.

Korçë, 7 Tetor 2015 - ProCredit Bank ka inauguruar degën e saj më të re dhe Zonën 24/7-të vetëshërbimit, të cilat do të jenë në funksion si të klientëve të biznesit, ashtu edhe atyre private.

Zonat 24/7 janë një koncept tejet inovativ bankingu për tregun bankar në Shqipëri, ku klientëve të bankës ProCredit iu mundësohet përdorim i shërbime bankare 24 orë, gjatë 7 ditëve të javës. E veçanta e këtyre zonave është se në to janë të vendosura pajisje të tilla të teknologjisë së lartë, të cilat ju mundësojnë të kryeni vetë një gamë të gjërë shërbimesh bankare, shpejt dhe pa u kufizuar nga orari zyrtar i bankës. Për më tepër shërbimet bankare të kryera në "Zona 24/7" janë më lirë se sa në sportelet e bankës. Për të hyrë dhe marrë shërbime bankare në këtë zonë ju duhet të jeni të pajisur me një kartë debiti, ose krediti.

Për më tepër, kjo përqasje e re do të sigurojë një vëmendje të veçantë tek këshillimi financiar.  Shkëputja nga veprimet me përfshirje të lartë oparacionale, si numërim cash, transaksione të thjeshta rutinë, që konsumonin rreth 70 % të kohës së këshilluesve të klientëve, tashmë do jetë në  funksion të këshillimit të personalizuar për klientët tanë. Padiskutim që banka e së ardhmes do të jetë shumë e ndryshme nga sot dhe në përputhje me nevojat e tregut.

"Sot, zhvillimet teknologjike i kanë dhënë një dimension tjetër mënyrës se si të gjithë ne zgjedhim të komunikojmë me njëri-tjetrin, si menaxhojmë kohën, punojmë dhe zhvillojmë biznesin. Për sistemin bankar, kjo merr një rëndësi të veçantë për sa kohë që janë bankat ato që kanë mundësinë të prezantojnë dhe orjentojnë klientët e tyre drejt këtyre zhvillimeve teknologjike që lehtësojnë transaksionet e tyre. Ne në bankën ProCredit kemi dizenjuar shërbime që plotësojnë nevojat e klientëve në çdo moment, 24/7" - u shpreh Drejtuesja e Drejtorisë Ekzekutive, Znj. Adela Leka, e pranishme në këtë inaugurim.

"Zona 24/7", iu mundëson klientëve të bankës ProCredit akses në shërbimet bankare pa kufizime në kohë.  Këto zona janë  të pajisura me pajisje të teknologjisë së lartë, ku shërbimi i depozitimit të keshit përmes pajisjeve si për klientë biznesi, ashtu edhe ata privatë, është një ndër funksionet më të spikatura të kësaj zone. Përveç kësaj klientët mund të kryejnë transfeta edhe një sërë pagesash të faturave mujore nëpërmjet platformës elektronike e-banking. Gjithashtu në çdo moment klientët mund të lidhen direkt me Qëndrën e Kontaktit nga kjo zonë, nëse kanë pyetje gjatë kryerjes së shërbimit. Aktualisht ProCredit Bank ka investuar në 16 Zona 24/7 në të gjithë vendin, të integruara brenda degëve aktuale me qëllim që klientëve t'ju mundësohet informim edhe më i plotë i funksionimit të këtyre shërbimeve.

"Më shumë se 1 bilion euro kanë shkuar në mbështetje të zhvillimit të bizneseve vendase dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi gjatë këtyre 20 viteve. ProCredit Bank, si një bankë e fokusuar dhe e specializuar në bizneset SME, theksojmë se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje maksimale për klientët tanë duke zbatuar praktikat më të mira gjermane të bankimit. Në përputhje me misionin e bankës sonë për zhvillimin e bizneseve shqiptare që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, ne sjellim shërbime bankare moderne që sjellin efiçencë dhe sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të bizneseve." - vazhdoi më tej Drejtoresha e Degës Korçë, Znj. Ada Përmeti.

Fokusi strategjik i bankës gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm do të jetë forcimi i marrëdhënieve tona me klientët nëpërmjet ofrimit të serisë së plotë të shërbimeve në mënyrën më efikase, siç janë shërbimet elektronike dhe në anën tjetër të zhvillojmë dhe më tej rolin tonë si këshillues duke siguruar që klientët e biznesit të marrin këshillim dhe cilësi më të mirë të shërbimeve.

ProCredit Bank është një bankë tregtare e orjentuar drejt zhvillimit. Ajo është e vetmja bankë me 100 % kapital gjerman në Shqipëri. Aksioneri ynë i vetëm është ProCredit Holding, me qëndër në Frankfurt, Gjermani. Mbikqyremi nga autorite të larta të supervizimit gjerman, Bundesbank dhe BaFin që sigurojnë besueshmërinë dhe qëndrueshërinë tonë.