Open Responsive Menu
24 Nëntor 2014

ProCredit Bank Shqipëri dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi.

Drejtuesja e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri, znj. Adela Leka dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, nënshkruan më datë 18 Nëntor 2014 një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve.

ProCredit Bank për afro dy dekada të suksesshme bankingu në Shqipëri, ka suportuar më shumë se 15’000 biznese që të kenë një rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm në sipërmarrjen e tyre. Si një Bankë e orientuar drejt zhvillimit dhe si pjesë e misionit të vetë, Banka synon vendosjen e standardeve të larta dhe të sjellë ndryshime pozitive me partnerët e vetë të biznesit, në cilësinë e shërbimeve që ofrohen si dhe në etikën e biznesit.

Kjo Marrëveshje shërben për të forcuar bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, duke i dhënë Bankës mundësinë për mbështetje dhe organizim të aktiviteteve të suksesshme në favor të klientëve tanë brenda Shqipërisë si dhe në rajon.

“Kjo Marrëveshje ka rëndësi në krijimin e një klime pozitive bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe institucioneve financiare, për të ofruar stimujt e duhur për zhvillimin e bizneseve në Shqipëri. ProCredit Bank është një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm për bizneset shqiptare.” u shpreh Kryetari i Dhomës së Tregtisë Tiranë, z. Jaka pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

Në fjalën e saj, Drejtuesja e Drejtorisë Ekzekutive, Znj. Leka, konfirmoi angazhimin e ProCredit Bank në mbështetjen e biznesit vendas, duke ofruar jo vetëm eksperiencën 20 vjeçare të Bankës në tregun shqiptar, por edhe shërbime të përgjegjshme dhe transparente për partnerët e biznesit. Një rëndësi të veçantë, znj. Leka i kushtoi rrjetit funksional të Bankave ProCredit në rajon – Kosovë, Maqedoni, Serbi, Rumani, Bullgari etj. – të cilat ofrojnë mundësi shumë të mira për bizneset shqiptare për rritje të bashkëpunimit tregtar rajonal.

Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi konfirmon suportin e ProCredit Bank ndaj bizneseve vendase, duke vënë në dispozicion ekspertizën e vetë teknike dhe profesionale, nëpërmjet këshilluesve të dedikuar të biznesit si dhe fondeve të garantuara nga Bashkimi Evropian, Institucionet Shqiptare (si për shembull skemat e subvencionimit të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave) si dhe shërbime të ndryshme financiare të dizenjuara për të përmbushur nevojat e biznesit dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për familjet shqiptare.


ProCredit Bank, Banka juaj partnere!