Open Responsive Menu

Politika Mjedisore e bankës
Banka e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit

Të gjitha bankat në grupin ProCredit kanë vendosur standarde të larta në lidhje me ndikimin e operacioneve të tyre në mjedis. Mbrojtja e mjedisit dhe kontribuimi aktivisht në zhvillimin ekonomik, me përgjegjshmëri sociale dhe mjedisore, është një komponent qendror i misionit të Grupit ProCredit. Si pjesë e Grupit ProCredit, ProCredit Bank Shqipëri, i kushton rëndësi mbrojtjes së mjedisit dhe kontributi i saj në reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike është pjesë e përgjegjësisë sociale të Bankës dhe e konsideron ndikimin mjedisor si thelbësor për zhvillimin ekonomik me përgjegjshmëri sociale.

Në operacionet e saj, Banka kërkon të reduktojë në mënyrë të vazhdueshme ndikimin e saj mjedisor dhe atë të klientëve të saj dhe të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve të saj, klientëve dhe publikut për çështjet mjedisore, duke zbatuar masa të qëndrueshme dhe të vazhdueshme.

Si një institucion bankar, ProCredit Bank Shqipëri ndikon në mjedis kryesisht në aspektin e konsumit të energjisë, ujit, letrës dhe materialeve të tjera, transportit dhe pajisjeve, kushteve të ndërtesave të zyrave të Bankës. Në kushtet e aktivitetit të saj, Banka gjithashtu në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ndikon në mjedis me shërbimet e ofruara tek klientët e saj (duke përfshirë shërbimet bankare dhe financiare) dhe ato të ofruara për Bankën nga furnizuesit e jashtëm. Duke qënë të vetëdijshëm për faktin se aktivitetet e Bankës kanë ndikim në mjedis, ProCredit Bank Shqipëri ka zhvilluar dhe zbatuar politikën e saj mjedisore.

Fushëveprimi i Politikës Mjedisore

Parimet e përcaktuara në Politikën Mjedisore ndiqen dhe respektohen nga të gjithë punonjësit e Bankës në Drejtorinë Qendrore dhe në të gjitha Njësitë e Biznesit dhe gjithashtu nga stafi i angazhuar në aktivitete apo shërbime të ofruara nga palët e jashtme, që janë nën kontrollin e Bankës. Drejtoria Ekzekutive është përgjegjëse për të siguruar ndërgjegjësimin e punonjësve të bankës në lidhje me këtë politikë si dhe respektimin e saj, gjë e cila organizohet me mbështetjen e Njësive dhe Departamenteve përkatëse.

Për të minimizuar ndikimin e saj mjedisor dhe atë të klientëve të bankës, banka ProCredit Shqipëri ka marrë një qasje të trefishtë ndaj sfidave mjedisore:

Shtylla 1: Sistemi i administrimit të brendshëm mjedisor

Kjo shtyllë i referohet të gjitha masave të brendshme të marra nga ProCredit Bank Shqipëri për të reduktuar ndikimin e saj mjedisor. Këto masa përfshijnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit në lidhje me çështjet mjedisore; në të njëjtën kohë duke i kushtuar rëndësi të veçantë dizenjimit me masa të eficiencës së energjisë të degëve dhe të Zyrës Qendrore.

Në këtë kuadër, politikat dhe procedurat e brendshme administrative janë rishikuar me qëllimin e përfshirjes dhe theksimit të kritereve mjedisore. Gjithashtu, banka ka krijuar një bazë të dhënash mjedisore me qëllim analizimin e konsumit aktual të bankës, monitorimin e performancës mjedisore të saj, identifikimin e problematikave dhe së fundmi marrjen e masave të nevojshme mjedisore.

Banka ka investuar vazhdimisht në rinovimin e Njësive të Biznesit dhe Zyrës Qendrore duke investuar në teknologji bashkëhore të tilla si sisteme të ajrit të kondicionuar inverter, ndriçim LED, etj. Për shembull, sisteme efikase të energjisë janë instaluar në Njësitë e Biznesit si Tirana e Re, Piazza, Durrës, Korça, Shkodra, Fier, etj.

Qëllimi i masave të sipërpërmendura dhe i investimeve të ardhshme, është përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj klientëve të bankës, sigurimi i kushteve të punës më të rehatshme për personelin e saj, si dhe kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, këto investime sjellin uljen e kostove të energjisë.

Shtylla 2: Administrimi i riskut mjedisor dhe social në kredidhënie

Objektivi i kësaj shtylle është reduktimi i ndikimit të jashtëm mjedisor të shkaktuar nga aktiviteti i kredidhënies së bankës. ProCredit Bank Shqipëri ka implementuar një sistem të administrimit mjedisor bazuar në vlerësimin e vazhdueshëm të portofolit të kredisë sipas kritereve mjedisore si dhe në një analizë të thellë të të gjitha aktiviteteve ekonomike të cilat potencialisht përfshijnë risqe mjedisore, dhe së fundmi refuzimi i aplikimeve për kredi të ndërmarrjeve të angazhuara në aktivitete të cilat konsiderohen të rrezikshme për mjedisin dhe shfaqen në listën e përjashtimit të institucionit tonë.

Me përfshirjen e çështjeve mjedisore në proçesin e aprovimit të kredisë, ProCredit Bank Shqipëri është gjithashtu në gjendje të rrisë nivelin e ndërgjegjësimit mjedisor të klientëve të saj.

Shtylla 3: Promovimi i Kredive Eko


ProCredit Bank Shqipëri ka për qëllim të promovojë zhvillimin ekonomik, i cili është ekologjikisht i qëndrueshëm. Qëllimi i kësaj shtylle është të ndihmojë në ndërtimin e një portofoli kredie kuptimplotë duke ofruar financim të eficiencës së energjisë (EE),  energjive të rinovueshme (RE) si dhe financim të projekteve të tjera pro mjedisit. Ndjeshmëria për çështjet mjedisore dhe eficiencën e energjisë është artikuluar që në vitin 2009, duke qënë banka e parë në Shqipëri që ka promovuar dhe ofruar kredi EE. Kjo nismë e veçantë u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të ProCredit Bank Shqipëri dhe Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) si dhe nëpërmjet asistencës teknike të siguruar nga ana e ekspertëve të mjedisit në IPC - International Project Consult.

Me synim rritjen e ndërgjegjësimit në publik, ProCredit Bank është përfshirë në projekte lokale të ndryshme mjedisore. Banka është angazhuar dhe ka mbështetur seminare të shumta në lidhje me investimet Eko për bizneset, agrobizneset, bashkitë, nxënësit, etj. Për më tepër, banka ka bashkë-financuar një iniciativë të quajtur EcoVolis, një program që promovon mënyrën e transportit miqësor ndaj mjedisit, me mjete si biçikleta.

Përveç të qenit aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor në Shqipëri, ProCredit Bank Shqipëri shkon më tej duke i ofruar të gjithë klientëve të saj norma interesi preferenciale për kreditë Eko.

Për të përmbushur sa më mirë nevojat e bizneseve dhe individëve, ne do të vazhdojmë të jemi shumë aktivë në financimin e masave Eko dhe në të njëjtën kohë duke i shpjeguar klientëve tanë përfitimet e këtyre investimeve.

Për më tepër informacion rreth Kredisë Eko, ju lutemi, klikoni në linqet e mëposhtme:

Për më shumë informacion për kreditë Eko për banesat, ju lutem klikoni këtu

Për më shumë informacion për kreditë Eko për biznesin, ju lutem klikoni këtu

Për më shumë informacion për kreditë Eko për agrobiznesin, ju lutem klikoni këtu