Njė bankė e gjelbėr pėr Tiranėn

 

ProCredit Bank hap qendrën e gjelbër të biznesit në Laprakë. Investimi i parë i këtij lloji në Shqipëri i cili synon më shumë cilësi shërbimi ndaj klientit dhe kontribut të drejtpërdrejtë  në mbrojtjen e mjedisit.  

Është quajtur jo pa qëllim, Dega e Gjelbër, Qendra e Biznesit të ProCredit Bank në Laprakë e cila që nga hapja e saj në fund të muajit Prill, ka për qëllim të tregojë dhe një shembull praktik të ndërtesave të gjelbërta. Kjo ndërtesë është e para në llojin e vet në Shqipëri me një teknologji të përparuar dhe bashkëkohore të gjelbër. Është pikërisht kjo teknologji e përdorur që përbën risinë kryesore dhe ndryshimin e vërtetë që ofrohet në këtë qendër biznesi, pasi ajo është e vetmja që mundëson vëmendje ndaj ambientit dhe përdorimit eficient të energjisë.

Kujdesi ndaj çështjeve ambientale dhe eficiencës së energjisë ka kohë që është artikuluar nga ProCredit Bank, duke qenë Banka e parë në Shqipëri që prej vitit 2009 e cila promovoi dhe u ofroi klientëve të saj kredi për eficiencën e përdorimit të energjisë për shtëpitë dhe bizneset e tyre, e shoqëruar me ekspertizën teknike të nevojshme për produkte të këtij lloji. Në vazhdim të kësaj iniciative fillestare për klientët, tashmë Projekti i Gjelbër në Laprakë i ofron mundësinë edhe klientëve dhe stafit të saj për t’u  njohur me to, dhe vetë Bankës për t’i zbatuar këto teknologji në gamën më të gjerë të sistemeve dhe pajisjeve teknike të ofruara aktualisht në Shqipëri dhe në Rajon.

Motivet e ProCredit Bank për ndërmarrjen e një nisme të tillë të gjelbër janë të shumta dhe të ndryshme. Së pari, përdorimi joeficient i energjisë jo vetëm rrit sforcimin e rrjetit elektrik dhe ndotjen e ajrit të lidhur me prodhimin e energjisë dhe përdorimin e gjeneratorëve në mungesë të saj, por edhe ndikon ndjeshëm në kosto të larta energjie. Megjithatë, kursimet e kostos së energjisë nuk janë motivi i vetëm dhe kryesor i ProCredit Bank në këtë ndërmarrje. Mbi të gjitha ky projekt synon të promovojë një përqasje më të përgjegjshme në zhvillimin urban në Tiranë. Në këtë funksion, teknologjia e gjelbër ka gjetur përdorim në elemente të fushave të ndryshme të rikonstruksionit, të tilla si në elementet e ndërtimit dhe sistemet e izolimit, sisteme elektrike dhe kondicionimi, sisteme të drejtimit të godinës (Building management system) etj. Sistemi i izolimit dhe ajrimit siguron furnizim me ajër të freskët në temperaturën e duhur dhe strategjia e ndriçimit maksimizon përdorimin e ndriçimit natyral. Ndërkohë që projekti fokusohet rreth eficiencës së energjisë, ai gjithashtu përfshin edhe teknologji të tjera mjedisore, të tilla si riciklimin e ujit dhe administrimin e duhur të materialeve të papërdorshme për bankën. Uji i mbledhur nga njësitë e kondicionerëve dhe lavamanëve të tualeteve do të ripërdoret, duke reduktuar edhe më shumë përdorimin e tij. Gjithashtu Banka është angazhuar në gjetjen e mundësive për reduktimin ose riciklimin në maksimum të materialeve të vjetra të çmontuara nga Dega e Laprakës. Materialet gips janë dërguar në impiante riciklues dhe do të transformohen dhe riprodhohen në panele të tjera, vetratat e vjetra u përdorën për të krijuar kabinat e jashtme të sigurisë, dyshemetë e hequra laminate u instaluan në shtëpitë kamping afër qytetit të Vlorës, dhe tabelat e vjetra reklamuese iu dhanë në përdorim disa prej gjimnazeve. Së fundmi, ekipi dizenjues ka përfshirë pemët dhe parkimin e biçikletave për të përmirësuar mjedisin urban dhe për të inkurajuar transportin jo-ndotës. Të gjitha këto elemente së bashku përmirësojnë gjithashtu komoditetin për klientët dhe punonjësit e saj.

Duke investuar në Qendrën e Gjelbër të Biznesit në Laprakë, ProCredit Bank konfirmon angazhimin e saj ndaj një përqasje që respekton mjedisin dhe përmirëson jetesën e individëve. Nisma e gjelbër e ProCredit Bank nuk përfundon me Projektin e Laprakës. Gjatë këtij viti e në vazhdim, Banka do të monitorojë perfomancën e pajisjeve, dhe do të përcaktojë përfitimet e arritura mjedisore dhe ekonomike. Kjo do të ndihmojë në përzgjedhjen e teknologjive që do të përdoret në projektet e ardhshme të rinovimit të degëve aktuale apo të degeve të reja të ProCredit Bank Shqipëri.